Kryeministri i vendit, Albin Kurti në lëndën e dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese ka pretenduar se Dekreti i Presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit “përbën shkelje të rëndë të rendit kushtetues”.
Kurti vlerëson se lejimi i shpërndarjes së Kuvendit pa një vlerësim paraprak nga Gjykata Kushtetuese krijon një precedent të rrezikshëm të menjëhershëm, por edhe për të ardhmen e stabilitetit institucional dhe funksionimit kushtetues të institucioneve të Republikës së Kosovës, teksa ka kërkuar vendosjen e masës së përkohshme.
“Veprimet parandaluese në këtë rast nga Gjykata janë të domosdoshme, pasi ndërhyrja vetëm pas materializimit të pasojave do të jetë e vonuar”, thuhet në kërkesën e Kurtit.
Aty përmendet edhe takimi konsultativ i Presidentes me krerët e partive për caktimin e datës së zgjedhjeve.
Kurti thotë aty se pa vendosjen e një mase të përkohshme do të kishte rrezik “të menjëhershëm dhe real” që ajo t’i shpallte zgjedhjet e reja.
“Vendosja e masës së përkohshme imponohet gjithashtu nga një rrethanë tjetër me peshë të veçantë kushtetuese. Pas nxjerrjes së Dekretit të kontestuar nr. 24/2026, në të njëjtën ditë, me 6 mars 2026, Presidentja e Republikës së Kosovës ka ndërmarrë hapat e parë për materializimin e efekteve të tij juridike, përkatësisht përmes thirrjes së partive politike në një takim konsultativ lidhur me caktimin e datës së zgjedhjeve të jashtëzakonshme. Nëse dekreti i kontestuar do të mbetej në fuqi, zgjedhjet do të duhej të mbaheshin brenda afatit kushtetues prej dyzet e pesë (45) ditësh, duke e shndërruar kështu këtë akt në një proces institucional të pakthyeshëm në praktikë. Në këto rrethana, rreziku kushtetues nuk është me hipotetik, por i menjëhershëm dhe real. Ai konsiston në krijimin e një situate faktike që, edhe në rast të konstatimit të mëvonshëm të antikushtetutshmërisë nga Gjykata, do të ishte jashtëzakonisht e vështirë të rikthehej në gjendjen e mëparshme juridike.”, thuhet në kërkesë.
Kushtetuesja e miratoi kërkesën për masë të përkohshme, e cila hyn në fuqi sot dhe vlen deri më 31 mars.


























