Në Ditën Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur, Albin Kurti, takoi gratë e Krushës së Vogël, përkatësisht 16 gra ndërmarrëse nga ky fshat.
“Kryeministri Kurti ritheksoi se familjet e të zhdukurve janë lart mes prioriteteve e në përkujdesjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatën e zyrës së kryeministrit.
Në vizitën e përbashkët me zëvendëskryeministren Donika Gërvalla, Nnnkryetaren e Kuvendit, Saranda Bogujevci, kryetarin e Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, Andin Hoti dhe Edi Gusia, u.d. Drejtore Ekzekutive në Agjencinë për Barazi Gjinore, u bisedua për arritjet dhe planet e ardhshme të nismave të vetëpunësimit.
Tutje bëhet e ditur se zyra e kryeministrit do të ndajë subvencione me qëllim të fuqizimit dhe pavarësimit ekonomik të grave dhe vajzave. Të drejtë aplikimi kanë personat fizikë, gra apo vajza që gëzojnë pension për personat e zhdukur gjatë luftës në Kosovë, apo një anëtare (grua/vajzë) nga familja e ngushtë e personave që gëzojnë pension për personat e zhdukur gjatë luftës në Kosovë, të cilat ndërmarrin nisma vetëpunësimi prej të cilave punësohen dhe sigurojnë mirëqenien familjare dhe të të ardhurave për përmbushjen e nevojave bazike. Thirrja e dytë për aplikime është e hapur deri më 4 shtator 2024.