Kurti në Londër takon personalitete të ekonomisë, sigurisë dhe integrimit

Kryeministri Albin Kurti, gjatë qëndrimit të tij në Londër, ka takuar disa personalitete të rëndësishme të fushës së ekonomisë, diplomacisë dhe të sigurisë.

Në një postim të bërë në Facebook, Kurti shkroi se fillimisht takoi Sekretaren për Punë të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, Yvette Cooper, ku gjatë këtij takimi, sipas tij, ai ka theksuar dhe ka potencuar marrëdhëniet e mira ndërmjet dy vendeve, duke e quajtur Mbretërinë e Bashkuar partner kyç të Kosovës.

“U takova gjithashtu me Presidenten e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Odile Renaud-Basso, të cilën e falënderova për mbështetjen e konsiderueshme financiare për zhvillimin e Kosovës. Diskutuam vazhdimin e mbështetjes për sektorin privat në rritje dhe për projektet e infrastrukturës publike, si energjia, uji dhe transporti publik. Vizita vijoi me pjesëmarrjen në një panel të organizuar nga think tank-u ODI Global, ku, së bashku me drejtoreshën ekzekutive Sara Pantuliano dhe Dora Meredith, si dhe me analistin e mirënjohur ekonomik Martin Wolf nga Financial Times, diskutuam mbi shtetndërtimin ekonomik dhe stabilitetin global. Në mbrëmje, mora pjesë në një darkë të shtruar nga Ministri i Shtetit për Mbrojtje, Lord Coaker, në Naval and Military Club, ku diskutuam bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes dhe çështje më të gjera të sigurisë”, shkroi ai në Facebook.

Kurti më tej theksoi se ka qenë pjesë e panelit në London Defence Conference, përkrah të Dërguarës së Posaçme të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Dame Karen Pierce, kongresistit republikan nga Karolina e Veriut, Pat Harrigan, Shefit të Mbrojtjes së Forcave të Armatosura të Holandës, gjeneralit Onno Eichelsheim, si dhe profesorit Julian Lindley-French.

“Diskutimi u përqendrua në kuptimin e mbrojtjes dhe të gatishmërisë në një kohë krizash të shumta globale. Pas panelit, zhvillova një intervistë me drejtorin e konferencës, Iain Martin, ku biseda u përqendrua më në detaje te rrugëtimi i Kosovës drejt Bashkimit Evropian dhe sfidat e sigurisë, si dhe kërcënimet që vijnë nga Serbia dhe Rusia, në kuadër të një podcast-i të ardhshëm. Vizita u përmbyll me një darkë me historianin dhe akademikun e njohur Sir Noel Malcolm nga Universiteti i Oksfordit, zëri më i rëndësishëm ndërkombëtar për historinë e Kosovës”, deklaroi Kurti.

 

Të ngjajshme

AlbanianBosnianEnglishGermanTurkish