Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë edhe në takimin për draft-metodologjinë e Institutit për Krimet e Kryera Gjatë Luftës në Kosovë, për dokumentimin dhe hulumtimin e krimeve të luftës.
Së bashku me kryeministrin, pjesëmarrës ishte edhe Atdhe Hetemi, Drejtor Ekzekutiv i Institutit për Krimet e Kryera Gjatë Luftës në Kosovë.
“Ky takim është një hap i rëndësishëm në punën tonë për dokumentimin e krimeve të kryera gjatë luftës së fundit në Kosovë. Përtej së qeni një dokument teknik, ky draft është rruga për të ndriçuar të vërtetën për të gjitha krimet e luftës në Kosovë. Kemi ende 1595 persona të zhdukur me dhunë gjatë luftës së fundit. Qindra familje vazhdojnë të jetojnë me dhimbje dhe ankthin e pritjes. Për dokumentimin e krimeve të luftës kemi funksionalizuar Institutin”, tha kryeministri Kurti.
Ndërsa, Atdhe Hetemi tha se bashkëpunimi me ekspertë vendor e ndërkombëtarë është shumë i nevojshëm në hetimin dhe dokumentimin e krimeve të luftës.
“Për hartimin e kësaj metodologjie do të bashkëpunojmë me ekspertë vendor e ndërkombëtar. Kjo qasje e bashkëpunimit është jetike për suksesin e institutit”, shtoi ai.