Kurti për Habermasin: Mbronte idenë e një Evrope të bashkuar

Një ditë pas vdekjes së filozofit gjerman Jurgen Habermas, kryeministri, Albin Kurti e ka quajtur atë një prej mendimtarëve më të shquar bashkëkohor.

 

Kurti thotë se ai ishte një intelektual poliedrik që nuk i përtoi asnjëherë diskutimeve filozofike e politike, duke praktikuar gjithnjë besimin e palëkundur të tij në forcën e vetme të arsyeshme, atë të argumentit më të mirë.

“Kontributet e tij filozofike prekin të gjitha lëmitë tradicionale të hulumtimit filozofik, nga filozofia praktike tek ajo teorike, ani se më i njohur ishte gjithnjë për lëvrimet e tij në fushat tradicionale të së parës, pra ato të etikës dhe të filozofisë sociale e politike. Sidoqoftë, duke qenë një njeri i letrave në traditën më të mirë të Iluminizmit europian, një kapelë e vetme profesionale nuk i ra tamam asnjëherë. Sociologjia, ekonomia politike, dhe politologjia ishin disiplina ku Habermasi u ndie si në shtëpinë e vet po aq sa në katedrën e filozofisë”, ka shkruar Kurti duke e kujtuar filozofin gjerman një ditë pas vdekjes së tij.

Sipas Kurtit, Habermas, përveçse si filozof e sociolog, do të kujtohet gjithashtu për kontributin e tij si polemist në debatet shoqërore që shënjuan formësimin e identitetit etiko-politik të Gjermanisë dhe Evropës pas-naziste.

“Këto polemika i zhvillonte gjithnjë në frymën e demokracisë deliberative dhe duke e kuptuar vetveten si njëri nga qytetarët e kurrsesi si ekspert i privilegjuar”, shkroi ai.

Kryqeveritari thotë se për publikun e gjerë shqiptar, Habermasi do të bëhej i njohur pikërisht në rolin e polemistit dhe intelektualit publik që nuk dinte të qëndronte indiferent ndaj temave të nxehta të ditës.

“Në fund të shekullit të kaluar, kur ne po kalonim ditët më kritike si popull i kërcënuar ekzistencialisht nga Jugosllavia e Tretë, përkatësisht Serbia e Millosheviqit, dhe kur opinioni botëror ishte i ndarë më dysh në lidhje me ndërhyrjen ushtarake të NATO-s, Habermasi arriti ta shquante dallimin thelbësor të kësaj ndërhyrjeje. Ndonëse e paautorizuar nga Këshilli i Sigurimit, sipas Habermasit, ndërhyrja e NATO-s në luftën e Kosovës kishte gjithë legjitimitetin e nevojshëm moral”, shkroi Kurti për filozofin gjerman.

Dje, sipas kryeministrit, humbi dhe një social-demokrat që mbronte me zell idenë e një Evrope të bashkuar e demokratike nën idealet e të drejtave të njeriut, lirisë, barazisë e solidaritetit.

“Tani që kjo ide ndodhet nën kërcënime të llojllojshme, zëri i Habermasit do t’i mungojë të majtës mbarë europiane. Megjithëkëtë, jam i bindur se vepra e tij do të mbetet një referencë e rëndësishme gjersa ballafaqohemi me sfidat e së ardhmes”, ka hkruar kryeministri, teksa ka kujtuar filozofin gjerman që vdiq një ditë më parë.

 

Të ngjajshme

AlbanianBosnianEnglishGermanTurkish