Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përkujtuar përvjetorin e masakrës së Izbicës, duke e cilësuar atë si një nga plagët më të rënda të luftës në Kosovë, transmeton KosovaPost.
Përmes një mesazhi publik, Kurti rikujtoi se më 28 mars 1999, forcat e armatosura serbe rrethuan fshatin Izbicë të Skenderajt, ku pas plaçkitjeve dhe ndarjes së burrave nga gratë dhe fëmijët, u ekzekutuan 147 civilë shqiptarë të pafajshëm.
Ai theksoi se mizoria nuk përfundoi me kaq, pasi dy gra të moshuara, të paafta për të lëvizur, u dogjën të gjalla pasi forcat serbe i vunë flakën rimorkios së traktorit ku ato ndodheshin.
Sipas Kurtit, të mbijetuarit u dëbuan me forcë, ndërsa trupat e viktimave u zhvarrosën dhe u fshehën në varreza masive në Kosovë dhe Serbi, në përpjekje për të zhdukur gjurmët e krimit.
“Edhe sot ka varre të zbrazëta dhe familje që presin drejtësi”, u shpreh ai, duke shtuar se kujtimi për viktimat dhe qëndresa e familjarëve mbeten të gjalla.
“Si Republikë e Kosovës, kemi obligim institucional dhe moral që të vazhdojmë pa u ndalur në kërkimin drejtësisë, në ndëshkimin e përgjegjësve dhe në nderimin e dinjitetit të çdo viktime” deklaroi Kurti.


























