Kryeministri Albin Kurti ka pritur sot një delegacion të përbërë nga profesorë, gazetarë dhe përfaqësues të shoqërisë civile nga Nepali, Sri Lanka, Bangladeshi, India dhe Maldivet.
Sipas komunikatës së Kryeministrisë, ai i njoftoi ata mbi zhvillimet e fundit në vend, karakteristikat që e veçojnë Republikën e Kosovës dhe shoqërinë e saj, politikat dhe orientimin e qartë Euro-Atlantik dhe rezultatet e qeverisjes në ekonomi, reforma institucionale dhe demokraci.
“Kryeministri Kurti veçoi suksesin e masave të punësimit, rritjen e eksporteve dhe investimeve të huaja direkte, investimet në arsim dhe bujqësi, përmirësimin në sundimin e ligjit, dhe stabilitetin institucional, të cilin ai e cilësoi se infrastrukturë politike për rritje ekonomike dhe progres demokratik që ka shënuar vendi ynë në këto gati katër vjet. Ai tha se Kosova është shembull se dinjiteti njerëzor, të drejtat e njeriut, pluralizmi politik dhe sundimi i ligjit përputhen dhe mundësojnë rritjen ekonomike dhe zhvillimin e vendit”, thuhet në njoftim.
Tutje theksohet se gjatë bashkëbisedimit, kryeministri Kurti iu përgjigj pyetjeve të ndryshme nga pjesëmarrësit, teksa bashkëdiskutuan edhe rreth mundësive të bashkëpunimit dhe shkëmbimit të përvojave të vendeve të tyre dhe të Kosovës në fushën e bujqësisë, edukimit, energjisë dhe infrastrukturës.