Kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, njëherazi Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pritur sot në takim përfaqësuesit e Lëvizjes “Arbëria” nga Maqedonia e Veriut. Në këtë takim ishin të pranishëm edhe deputetët Avni Dehari dhe Arijeta Rexhepi.
Gjatë takimit u diskutua për zhvillimet politike, shoqërore, ekonomike dhe kombëtare të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. Palët biseduan për përfaqësimin politik të shqiptarëve në këtë shtet dhe sfidat me të cilat përballen, duke theksuar nevojën për bashkim, vizion dhe qëndrueshmëri në adresimin dhe tejkalimin e këtyre sfidave.
U vu theksi edhe tek roli dhe rëndësia e mërgatës shqiptare, e cila u vlerësua si një forcë e madhe dhe një urë lidhëse mes shqiptarëve kudo që ndodhen. Në këtë drejtim, u diskutua edhe për nevojën që kjo energji dhe potencial të kanalizohet drejt forcimit të faktorit politik shqiptar dhe përmirësimit të pozitës së tyre në të gjitha nivelet.
Gjithashtu, pjesë e diskutimit ishin edhe mundësitë e bashkëpunimit ndërmjet Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe Lëvizjes “Arbëria”. Ky bashkëpunim shihet si një hap konkret në funksion të forcimit të zërit politik të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut dhe avancimit të të drejtave të tyre në çdo nivel institucional.
Takimi u vlerësua si dëshmi e përkushtimit të përbashkët që shqiptarët, kudo që janë, të kenë përfaqësim dinjitoz, politikë të pastër dhe zhvillim të qëndrueshëm. Në këtë frymë, u theksua rëndësia e ndërtimit të urave të bashkëpunimit mbi vlera të përbashkëta dhe jo mbi interesa afatshkurtra.


























