Kryeministri Kurti përmes një video-mesazhi ka adresuar një fjalë rasti në konferencën e dytë ndërkombëtare të Administratës Publike ‘KosovaPar2024’, e organizuar nga Ministria e Punëve të Brendshme, ka përgëzuar vazhdimësinë e kësaj nisme vjetore të kësaj ministrie, e cila është shtytëse e reforma gjithëpërfshirëse dhe ambicioze për reformimin e Administratës Publike.
Kryeministri Kurti ka thënë se reforma e Administratës Publike në shfrytëzimin e potencialit të plotë dhe të përkushtimit të talenteve të tyre në shërbim të progresit shoqëror dhe të zhvillimit ekonomik të vendit qëndron qëllimi sipëror i kësaj qeverisjeje.
Sipas tij, përparimet e arritura nuk do të ishin të mundshme pa mbështetjen e miqve ndërkombëtarë
“Qëllimi i kësaj qeverisjeje nuk është dhe nuk do të jetë kundër zyrtarëve dhe shërbyesve civilë apo kundër këshillave të miqve të BE-së, sepse, shtoi ai, ndaj të parëve kemi detyra morale në mbarëvajtjen e punës së tyre dhe për cilësinë e shërbimeve ndaj qytetarëve ndërsa ndaj BE-së kemi detyra politike për ecjen e procesit të pandalshëm të integrimit rajonal dhe në BE”, ka deklaruar Kurti.
Kurse, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se reforma në Administratën Publike dita ditës po përmirësohet, ndërsa theks të veçantë ka thënë se po i japin cilësisë së shërbimeve.
Sveçla ka deklaruar se Kosova ka bërë përparime në administratën publike. Ndihmë në këtë drejtim sipas tij kanë dhënë edhe partnerët ndërkombëtarë.
“Në krahasim me vitet e kaluara, sot reforma digjitale ka mbi 180 qasje në shërbime publike. 63 për qind e të rekrutuarve janë gra. Kosova ka bërë përparime në administratën publike, e gjithë kjo edhe falë mbështetjes së partnerëve tanë e miqve ndërkombëtar, andaj duke qenë se reforma është element kyç për përmirësimin e qytetarëve tanë, angazhimi ynë do të jetë maksimal”, ka thënë Sveçla.