Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka mbajtur një takim me Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar, Nicholas Abbott, përcjell KosovaPost.
Sipas Zyrës së Kryeministrit temë qendrore e diskutimit ishte sulmi i 24 shtatorit mbi Policinë e Kosovës, nga i cili u vra në krye të detyrës, rreshteri i Policisë, tash Heroi i Kosovës, Afrim Bunjaku.
“Kryeministri Kurti e njoftoi ambasadorin Abbott me veprimet e fundit të institucioneve të sigurisë, si dhe angazhimin e tyre për garantimin e integritetit territorial, sigurisë, ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë. Ai tha se në Kosovë sovraniteti shtetëror, integriteti territorial dhe siguria kombëtare janë cenuar të dielën”, thuhet në njoftim.
Ambasadori Abbott shprehu ngushëllimet e tij për familjen, kolegët e të ndjerit Bunjaku, dhe gjithë qytetarëve të Kosovës, teksa e dënoi sulmin kriminel e terrorist të 24 shtatorit.
Ai vlerësoi menaxhimin e situatës nga Qeveria e Kosovës, Policia e Kosovës dhe të gjitha institucionet e tjera shtetërore për profesionalizmin dhe maturinë e shfaqur.


























