Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, u takua ditën e sotme me kryetarin e Bashkësisë Islame për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, Nexhmedin Ademi, tansmeton KosovaPost.
Kryeministri i vendit, Albin Kurti, është takuar me kryetarin e Bashkësisë Islame për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, Nexhmedin Ademin.
Bëhet e ditur se gjatë takimit u trajtua rritja e bashkëpunimit ndërmjet komunitetit shqiptar të besimit islam në Preshevë dhe institucioneve të Kosovës, duke respektuar aspektet fetare, kulturore dhe edukative.
“U diskutua rreth sfidave me të cilat përballen shqiptarët në Luginën e Preshevës dhe rëndësia e ruajtjes së identitetit kombëtar e fetar, dhe promovimit të harmonisë ndërfetare dhe ndëretnike në rajon. Kryeministri Kurti shprehu mbështetjen e tij e përkrahjen për shqiptarët e Luginës së Preshevës, të cilët ballafaqohen vazhdimisht me politikat shtypëse dhe diskriminuese të regjimit të Beogradit zyrtar”, thuhet në njoftimin e qeverisë.
Tutje, bëhet e ditur se Kurti tha se qeveria është e udhëhequr prej tij, është e para që ka investuar e realizuar restaurime të xhamive në vend e sipas tij, ka treguar vëmendje ndaj të gjitha komuniteteve fetare.
“Kryeministri nënvizoi edhe bashkëpunimin e punën e frytshme të kësaj bashkësie, me qëllim të mbrojtjes së të drejtave të njeriut, ushtrimit të lirë të fesë dhe avokimit për çështjet kombëtare”, thuhet në njoftim.