Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka vendosur gurthemelin e palestrës dhe qendrës së re multifunksionale në kuadër të Qendrës Nacionale të Xhudos në Pejë, një projekt me rëndësi të veçantë për zhvillimin e sportit në vend. Për realizimin e këtij projekti janë ndarë 5.7 milionë euro, përcjell Kosova Post.
Kurti rikujtoi se në shtator të vitit 2022 ishte lansuar projekti “Kosova – Shtet i Xhudos”, ndërsa theksoi se vendosja e gurthemelit të kësaj qendre përbën vazhdimësi të sukseseve të arritura në këtë sport.
Ai vlerësoi se Qendra Nacionale e Xhudos, e përuruar në vitin 2021, ka qenë burim i shumë titujve botërorë, nën udhëheqjen e trajnerit Toni Kuka, duke shtuar se institucionet kanë detyrë të mbështesin dhe shpërblejnë sukseset e sportistëve.
Sipas tij, palestra e re do të shërbejë edhe për zhvillimin e garave të sporteve luftarake në kuadër të Lojërave Mesdhetare 2030.
Në fund, Kurti uroi sportistët, sportdashësit dhe qytetarët për këtë projekt të rëndësishëm.


























