Kryeministri Albin Kurti, krahas Leposaviqit, vizitoi sot dhe Mitrovicën e Veriut, ku u takua dhe me kryetarin e Komunës Erden Atiq me të cilin diskutoi rreth planeve dhe objektivave të komunës për të përmirësuar jetën e qytetarëve pa dallim, transmeton KosovaPost.
Në njoftimin e Qeverisë thuhet se Kurti vizitoi dhe biznese të reja të sapohapura në Mitrovicën e Veriut, të cilat krijojnë mundësi të mira e të përshtatshme të krijimit të vendeve të reja të punës e rritjes së punësimit të qytetarëve pa dallim, rritjes së mirëqenies e garantimit të gjithëpërfshirjes.
“Potenciali zhvillimor i komunës së Mitrovicës së Veriut është i lartë dhe si i tillë duhet shfrytëzuar pozitivisht në të mirë të qytetarëve. Hapja e bizneseve të reja dhe zhvillimi i tyre ndikojnë në progresin e katër komunave në veri të vendit të cilat tashmë kanë nisur të lulëzojnë dhe ecin drejt rrugës së prosperitetit pas një periudhe të gjatë e të errët të ndikimit të bandave kriminale”, thuhet në njoftim.
Kryeministri Kurti theksoi mbështetjen e Qeverisë për iniciativat që ndikojnë në përmirësimin e jetesës së qytetarëve dhe rritjen e punësimit si dhe përkrahjen e palëkundur për punën e komunës së Mitrovicës së Veriut.
Ndërkohë, Kurti i shoqëruar nga ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi dhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, vizitoi nga afër punimet që po zhvillohen në aksin rrugor që lidh zonat e Mitrovicës së Jugut me qarkoren Zubin Potok – Zveçan, me gjatësi 6.5 kilometër.
Ai nënvizoi rëndësinë e kësaj rruge për thjeshtimin e lëvizjes së qytetarëve nga veriu në jug e anasjelltas, lirinë e lëvizjes dhe zhvillimin e komunave në veri të vendit, me qëllim përmirësimin e jetesës së të gjithë qytetarëve.
“Rruga që lidh zonat e Mitrovicës së Jugut me qarkoren Zubin Potok – Zveçan, do të lehtësojë jetesën dhe qasjen e banorëve duke ndihmuar në ndërveprimin dhe ndërlidhjen e komunave veriore me komunat e tjera të vendit”, thuhet në njoftim.