“Jemi të bindur se ura do të hapet dhe se kjo çështje është e Kosovës”, kështu ka deklaruar shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari – Lila në “Lajmet e fundit” të RTK-së.
“…Ka kaluar shumë kohë më parë kur nuk është pjesë e procesit të Berlinit dhe nuk mund të jetë. Natyrisht se në element të vlerësimit të rrethanave të sigurisë, Kosova bashkërendon aktivitetin dhe se policia bashkë edhe me institucionet e tjera të sigurisë, përfshirë edhe KFOR-in do të jetë në koordinim, por nuk është çështje me të cilën mund të diskutohet parimi i hapjes së urës”, ka thënë ajo.
Kusari – Lila ka thënë se eskalimi i situatës nuk ka ndodhur nga vendimet e Qeverisë Kurti por nga grupet kriminale serbe.
Ajo është pyetur për qëndrimet e Presidencës dhe Qeverisë për këtë çështje.
“I keni dëgjuar deklaratat e presidentes, ka qenë shumë e qartë për çështjen e Urës dhe mos përfshirjen e kësaj teme në dialog, ashtu siç në të njëjtin parim është Qeveria. Në aspektin parimor, vlerësues, institucional gjithçka është njëzëri”, ka thënë ajo.
Tutje ka shtuar se për çështje të tjera ka pasur dallime, por që sipas saj, fokusi i dy institucioneve mbetet rritja e mbështetjes ndërkombëtare.