Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) do të mbajë sot Kuvendin e jashtëzakonshëm të partisë, ku pritet të përcaktohet e ardhmja e udhëheqjes së saj. Delegatët do të përballen me dy opsione kryesore: nëse kryetari aktual, Lumir Abdixhiku do të vazhdojë në krye të partisë, apo nëse do të zgjidhet Avdullah Hoti, ish-kryeministër i Kosovës nga kjo parti.
Ky Kuvend vjen pas rezultateve jo të kënaqshme të LDK-së në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit 2025, ku partia doli e treta me 13 për qind dhe siguroi vetëm 15 ulëse në Kuvend.
Pas këtyre rezultateve, Abdixhiku kishte njoftuar se do të ofrojë dorëheqjen në Kuvend, duke lënë vend për delegatët të vendosin nëse do ta pranojnë apo jo këtë akt. Megjithatë, dorëheqja është konsideruar një akt i kryer nga anëtari i Kryesisë, Avdullah Hoti, i cili gjithashtu ka shpallur kandidaturën për postin e kryetarit.
Disa anëtarë të partisë kanë shprehur publikisht mbështetjen për Abdixhikun, ndërsa të tjerë i kanë kërkuar largimin e tij, përfshirë Hykmete Bajramin, e cila dha dorëheqjen nga posti i nënkryetares së partisë.
Sipas njoftimit zyrtar, Kuvendi i Punës do të nisë punimet në orën 12:00. Mediat do të lejohen të përcjellin fjalën e Abdixhikut, ndërsa më pas punimet do të zhvillohen në seancë të mbyllur. Në total, do të marrin pjesë 355 delegatë, të cilët do të diskutojnë mbi dorëheqjen dhe vendimin për të ardhmen e udhëheqjes së partisë.
Pak ditë para mbledhjes, kryetari aktual Abdixhiku shkroi në rrjetet sociale se LDK nuk është parti që frikësohet nga anëtarësia e vet. “Vendimet e saj i ka marrë gjithmonë në Kuvend, mes njerëzve të vet, hapur, me debat dhe pa frikë; dhe në fund, me shumicë. Edhe në kohë shumë më të vështira se kjo. Kështu do të veprojmë sërish, këtë të shtunë”, ka shkruar Abdixhiku.
Ndërsa kandidati tjetër, Avdullah Hoti, ka shkruar se LDK-së i ka ardhur koha për bashkim dhe vizion të qartë. “Ky është momenti për bashkim. Për maturi. Për guxim politik. Për një fillim të ri që ndërtohet mbi parime, besim dhe vizion”, ka shkruar Hoti.


























