Në fund të dhjetorit të vitit të kaluar, Policia kërkonte ndihmë për gjetjen e Hazir Bresillës nga Klina, i cili ishte zhdukur dhe nuk dihej asgjë për fatin e tij. Të brengosur jashtëzakonisht shumë për gjithë këtë kohë, ata morën lajmin e hidhur se personi që u gjet mbrëmë i vdekur te lumi Sitnica, është Haziri.
Akoma nuk dihen rrethanat në të cilat ka vdekur ai dhe si ka përfunduar në Mitrovicë, por tashmë kanë nisur hetimet që pritet të zbardhin në plotni rastin.
Lajmi për vdekjen e tij e ka konfirmuar mbrëmë edhe zëdhënësi i policisë rajonale në Mitrovicë, Avni Zahiti.
“Rreth orës 16:50, është raportuar se në fshatin Kçiq të Mitrovicës, afër lumit Sitnica, është gjetur pa shenja jete një person i moshës madhore. Hetuesit policor me autorizim të prokurorit kanë nisur hetimet për identifikimin e viktimës dhe zbardhjen e rrethanave të rastit. Me urdhër të prokurorit trupi i pa jetë i viktimës dërgohet për obduksion”, tha Zahiti.