I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun me Serbinë, Mirosllav Lajçak bëri të ditur se gjatë ditës do të shkojë edhe në veri, që siç tha ai, për të kuptuar situatën atje.
“Dhe sot pasdite do të shkoj edhe në veri të Kosovës, do të takoj vendasit atje, dua të kuptoj nga afër situatën atje dhe shpresoj shumë se do të ketë një zgjidhje politike që do të mundësojë të gjithë ne të fokusohemi plotësisht në normalizimin dhe zbatimin e marrëveshjes”, tha Lajçak.
Lajçak u shpreh se po përpiqen te gjejnë një rruge të mesme, derisa u pyet për Asociacionin dhe se çfarë është e pranueshme për BE-në.
“Roli ynë si lehtësues është gjithmonë të gjejmë një rrugë të mesme, dhe kjo është pikërisht ajo që ne po përpiqemi të bëjmë…Ajo që është e pranueshme për Bashkimin Evropian është ajo që bazohet në normat evropiane dhe vlerat evropiane dhe që është në përputhje me modelet ekzistuese evropiane. Dhe e kemi thënë që në fillim, kështu që nuk do të them më shumë në këtë pikë, mendoj se jam mjaft i qartë”, tha ai.
Emisari i BE-së nuk dha për detaje të diskutimit, me ç’rast, tha se nuk dëshiron të dërgojë mesazh publik.
“Nuk dua të hyj në detaje të diskutimit. Kjo është, siç thash, pjesa e parë e udhëtimit tim, unë do të vazhdoj këto diskutime në Beograd dhe nuk dua të dërgoj asnjë mesazh publik në këtë pikë dhe shpresoj ta kuptoni këtë”, u përgjigj ai.
Pas takimit me Kurtin dhe Bislimin, Lajçak mohoi që kanë kërkuar nga kryetarët në veri që të mos pranojnë mandatet e tyre.
“A ka kërkuar BE nga kryetarët e rinj që të mos pranojnë mandatet e tyre?”Jo, ne nuk e kërkojmë këtë”, përfundoi Lajçak në përgjigjen e gazetarëve.
Kujtojmë që, në Bruksel më 2 maj Kosova dhe Serbia janë pajtuar për Deklaratën për të Zhdukurit, ku të dy vendet do të shtonin përpjekjet për zbardhjen e fatit të 1643 personave të pagjetur nga lufta e fundit.
Ndërsa, në këtë takim është prezantuar edhe draft statuti i Asociacionit të komunave me shumicë serbe nga ekipi menaxhues, tashmë i shkarkuar, në përbërje të serbëve të zgjedhur nga kreu i Listës Serbe, Goran Rakiq në kohën sa ka qenë zëvendëskryeministër në Qeverinë Hoti.