Ish-sekretari i Thesarit të SHBA-së, Larry Summers, ka njoftuar se do të tërhiqet nga mësimdhënia në Harvard University në fund të vitit akademik, mes reagimeve të vazhdueshme për lidhjet e tij me financierin e ndjerë dhe të dënuar për krime seksuale, Jeffrey Epstein.
“Kam marrë vendimin e vështirë që të dal në pension nga profesura ime në Harvard në fund të këtij viti akademik”, ka deklaruar Summers.
Vendimi vjen pasi Komiteti i Mbikëqyrjes në Dhomën e Përfaqësuesve të SHBA-së publikoi dokumente që tregojnë për një korrespondencë personale të vazhdueshme mes Summers dhe Epstein. Deri më tani, nuk është paraqitur asnjë provë për keqbërje nga ana e tij.
Në nëntor, Summers kishte ndërprerë angazhimet në mësimdhënie dhe kishte marrë leje nga pozita si bashkëdrejtor i Qendrës Mossavar-Rahmani për Biznes dhe Qeverisje, në kuadër të Harvard Kennedy School, pasi universiteti njoftoi se do të kryente një shqyrtim për personat e përmendur në dosjet e lidhura me Epstein.
Zëdhënësi i Harvardit, Jason Newton, ka bërë të ditur se dekani i Harvard Kennedy School, Jeremy Weinstein, ka pranuar dorëheqjen e Summers nga pozita drejtuese, ndërsa ai do të mbetet në leje deri në pensionimin e tij në fund të vitit shkollor.
Në nëntor, Summers ka dhënë dorëheqje edhe nga bordi i OpenAI, zhvilluesi i ChatGPT, pas njoftimit të Harvardit për rishikimin.
Ai kishte deklaruar se ishte “thellësisht i turpëruar” për veprimet e tij dhe se do të tërhiqej nga angazhimet publike për të “riparuar marrëdhëniet me njerëzit më të afërt”. /Reutres


























