Lidhja Demokratike e Kosovës ka njoftuar se nuk do të merr pjesë në takimin e Albin Kurtit më 1 maj lidhur me krijimin e institucioneve të reja, përkatësisht zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.
Nga LDK-ja thonë se zgjedhja e kryetarit të Kuvendit është çështje e marrëveshjes politike mes partive që synojnë të krijojnë shumicën dhe se Lidhja Demokratike e Kosovës tashmë ka e ka bërë të qartë se nuk është e interesuar për një marrëveshje të tillë.
“Po, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës Lumir Abdixhiku ka pranuar një letër nga kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje/deputeti Albin Kurti. Megjithatë, as kryetari Abdixhiku dhe askush nga Lidhja Demokratike e Kosovës nuk do të merr pjesë në këtë takim. Pozita e nënkryetarit të Kuvendit që i takon Lidhjes Demokratike të Kosovës është në bazë të rezultatit zgjedhor, dhe nuk është objekt diskutimi me asnjë parti tjetër. Për me tepër nënkryetarët votohën në pako nga Kuvendi, sipas praktikës së deritanishme. Ndërsa zgjedhja e kryetarit të Kuvendit është çështje e marrëveshjes politike mes partive që synojnë të krijojnë shumicën dhe Lidhja Demokratike e Kosovës tashmë ka e ka bërë të qartë se nuk është e interesuar për një marrëveshje të tillë”, deklaroi deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami.


























