Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, i ka dërguar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti një letër urimi më 23 shkurt, për ta uruar për mandatin e ri qeverisës.
Zyra e Kryeministrit të Kosovës ka treguar disa letra urimi që iu dërguan Kurtit, dhe Macron në të tijën, shkruan ndër tjerash se Franca do ta mbështesë Kosovën në rrugën e saj europiane.
Në të njëjtin paragraf, Macron përmend edhe marrëveshjet e fundit nga dialogu Kosovë-Serbi, duke kërkuar zbatimin e tyre.
“Marrëveshjet e Brukselit-Ohrit kanë përcaktuar drejtimin dhe u takon të dyja palëve t’i zbatojnë angazhimet e marra, në kuadër të dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Europian”, shkruan ndër tjerash presidenti francez.
Letra e urimit e Macron:
Paris, 23 shkurt 2026
I nderuar zoti Kryeministër,
Ju drejtoj urimet e mia më të përzemërta për rizgjedhjen tuaj në postin e Kryeministrit të Republikës së Kosovës.
Ju e njihni përkushtimin tim ndaj objektivit të ribashkimit të kontinentit tonë: Franca është e bindur se vendi i të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor është brenda Bashkimit Europian dhe ne vazhdojmë ta mbështesim Kosovën në rrugën e saj europiane. Franca do të vazhdojë gjithashtu t’i mbështesë pa u lodhur përpjekjet për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të cilat përbëjnë një dimension thelbësor të këtij procesi afrimi me Bashkimin Europian. Marrëveshjet e Brukselit-Ohrit kanë përcaktuar drejtimin dhe u takon të dyja palëve t’i zbatojnë angazhimet e marra, në kuadër të dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Europian.
Po ashtu dëshiroj që Franca dhe Kosova të vazhdojnë të thellojnë lidhjet e tyre dhe bashkëpunimin dypalësh, rreth projekteve strukturuese si, për shembull, përgatitja për Lojërat Mesdhetare që vendi juaj do t’i presë në vitin 2030.
Ju lutem pranoni, zoti Kryeministër, shprehjen e konsideratës sime më të lartë.
Emmanuel Macron


























