Dy protestues nga grupi ‘Youth Demand’ kanë vënë në shënjestër një pikturë të Pablo Picasso-s në Galerinë Kombëtare në Londër, në kuadër të një fushate veprimi të drejtpërdrejtë që bën thirrje për një embargo të dyanshme të armëve ndaj Izraelit, transmeton Anadolu.
Pikturën “Mëmësia” të Picasso-s të vitit 1901, demonstruesit e mbuluan me një fotografi të një nëne nga Gaza dhe fëmijës së saj, para se të derdhnin ngjyrë të kuqe në dyshemenë e galerisë për të simbolizuar gjakderdhjen në Gaza.
Dy aktivistët, e identifikuar si punonjësi 23-vjeçar i Shërbimit Kombëtar të Shëndetit (NHS), Jai Halai dhe studentja 21-vjeçare në Universitetin Greenwich, Monday-Malachi Rosenfeld, hyrën në dhomën 43 të Galerisë Kombëtare pak para mesditës.
Ata vendosën fotografinë, një imazh i fuqishëm i bërë nga fotoreporteri i Anadolu-t, Ali Jadallah, mbi kapakun e xhamit të pikturës së Picasso-s.
Fotografia tregon një nënë të pikëlluar dhe të gjakosur duke mbajtur fëmijën e saj të plagosur pas një sulmi ajror izraelit në spitalin Al-Shifa në qytetin Gaza në vitin 2023.
Duke folur në protestë, Jai Halai tha se po merr masa me kërkesën e grupit ‘Youth Demand’, sepse siç theksoi ai, “në këtë pikë ka më shumë se një vit që i shoh kolegët e mi në fushën e shëndetësisë të asgjësuar nga bombat dhe plumbat”.
“Ne kemi nevojë për një embargo dyanshme të armëve ndaj Izraelit, tani. 87 për qind e publikut britanik e mbështet këtë, por qeveria jonë vazhdon ta armatosë Izraelin. Veprimi i drejtpërdrejtë është detyra jonë si të rinj. Sot, ne duhet t’i mbrojmë ata që nuk kanë zë dhe të mbrojmë të ardhmen”, tha Halai.
Rosenfeld, një studente hebre, nga ana e saj, shprehu “detyrimin moral” të tij për ta ngritur zërin.
“Si hebre, e ndjej se është detyra ime të tërheq vëmendjen për gjenocidin që po kryhet në Gaza. Kjo nuk po bëhet në emër të hebrenjve. Kur Keir Starmer thotë se Britania qëndron me Izraelin, ai e ka gabim. Ne e dimë shumë mirë se kjo nuk është vetëmbrojtje, kjo është gjenocid. Populli i Britanisë thotë mjaft më”, tha Rosenfeld.
Një zëdhënës i grupit ‘Youth Demand’ tha se qeveria britanike po armatos Izraelin për të kryer gjenocid kundër palestinezëve dhe se ajo është bashkëpunëtore në vrasjet në Liban.
“Një embargo dyanshme e armëve është më e pakta që Britania mund të bëjë për të ndaluar zhvendosjen dhe shkatërrimin. Të rinjtë do të vazhdojnë të rezistojnë deri në vendosjen e drejtësisë”, tha zëdhënësi i grupit.
Izraeli vazhdon me ofensivën brutale në Rripin e Gazës pas sulmit nga grupi palestinez Hamas vitin e kaluar, pavarësisht rezolutës së Këshillit të Sigurimit të OKB-së që bën thirrje për një armëpushim të menjëhershëm.
Të paktën 42 mijë palestiezë janë vrarë që atëherë, kryesisht gra dhe fëmijë, si dhe mbi 97.700 të tjerë janë plagosur. Sulmet izraelite kanë zhvendosur pothuajse të gjithë popullsinë e Rripit të Gazës mes një bllokade të vazhdueshme që ka çuar në mungesa të mëdha të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve.
Për veprimet në Gaza, Izraeli përballet me një çështje gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.