Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Mergim Lushtaku, ka konfirmuar se PDK nuk do të marrë pjesë në votimin për formimin e qeverisë së re, nëse nuk arrihet një zgjidhje e qëndrueshme. Sipas tij, kjo nënkupton që kryeministër duhet të jetë Bedri Hamza.
“Sigurisht që qëndrimet e mija janë edhe qëndrime të PDK-së. Ne nuk do të marrim pjesë në votim derisa nuk ka një zgjidhje të qëndrueshme për Kosovën. Dhe padyshim që një zgjidhje e qëndrueshme është zgjedhja e Bedri Hamzës si kryeministër i Kosovës. Besoj se me të do të krijohet stabilitet dhe qëndrueshmëri në vend,” tha Lushtaku.
Ai shtoi se PDK u bën thirrje të gjitha partive politike që të respektojnë premtimet e tyre publike, veçanërisht ato që kanë të bëjnë me refuzimin e një mandati të tretë për Albin Kurtin si kryeministër.
“Sigurisht që kemi pasur edhe takime individuale e publike me partitë politike. U kemi bërë thirrje që të qëndrojnë pranë premtimeve që kanë dhënë – përkatësisht që të mos përkrahin një Kurt III. Nesër do të shihet se si do të veprohet. Nuk ka një dakordim konkret për momentin, por besoj që mbetet te qëndrueshmëria dhe premtimet publike që janë dhënë. PDK e ka bërë të qartë se ne kemi një pozitë që na është besuar nga qytetarët si mundësi e dytë për formimin e qeverisë. Dhe besoj se do të qëndrojmë të palëkundur në premtimet tona,” përfundoi Lushtaku./kp/