Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje në Prizren ka akuzuar qeverinë komunale të Prizrenit për fryrjen e çmimeve në tenderin për ndriçimin publik.
“Në tenderin: ‘Instalimi dhe riparimi i ndriçimit publik në lagjet Ortakoll, Bajram Curri, Tusuz, Arbanë, Jeta e Re dhe në fshatrat Piranë, Zhur, Hoqë e Qytetit dhe lokalitete të tjera’, shihet qartë se korrupsioni dhe keqpërdorimi i parasë publike është bërë fenomen që e karakterizon qeverisjen komunale të kryetarit të Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj”, thuhet në reagimin e LVV-së, raporton Telegrafi.
“Shtyllat “Smart” ndriçuese, të cilat në çdo qytet tjetër kushtojnë shumë më pak, janë faturuar në këtë tender me 31,600 euro dhe 32,000 euro për copë”, thuhet në reagim, me ç’rast tutje qeveria komunale akuzohet për keqpërdorimin e buxhetit komunal.
“Lëvizja Vetëvendosje në Prizren denoncon publikisht këtë aferë korruptive dhe kërkon llogaridhënie të menjëhershme”, thuhet në reagim, teksa i bëhet thirrje edhe organeve kompetente që të kryejnë hetim të plotë për këtë rast.
Lidhur me këto pretendime të LVV-së deri në momentin e raportimit nuk ka pasur ndonjë reagim publik nga zyrtarët e Komunës së Prizrenit.