Lëvizja Vetëvendosje, bëri të ditur se sot ka dorëzuar, përmes postës, ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa kundër vendimit për certifikimin e Listës Serbe në emër të Komisionit Qendror Zgjedhor, me kërkesën për anulimin e këtij vendimi.
LVV thotë se ditë më parë “KQZ në mënyrë të paprecedent dhe në kundërshtim me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme, e lejoi Listën Serbe që të marrë pjesë në zgjedhje”.
“Nxjerrja e vendimit në emër të KQZ-së, por pa miratim të KQZ-së është sulmi i radhës ndaj rendit tonë ligjor për shkak të Listës Serbe. Secili vendim i KQZ-së duhet t’i nënshtrohet votimit nga anëtarët e KQZ-së. Ky vendim nuk është i KQZ-së, sepse nuk është votuar. Është i paligjshëm, sepse bie ndesh me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme. Ndërsa Lista Serbe nuk është certifikuar në përputhje me Ligjin, por është kontrabanduar kundërligjshëm”, thuhet në kërkesën e LVV-së.
Sipas këtij subjekti politik, ‘Lista Serbe ka qenë dhe mbetet partia e kryeterroristit Radojçiq. Ajo dikur përdorej nga Radojçiqi kundër shtetit të Kosovës, kurse tani po shërben si struktura që mbron dhe amniston terrorizmin”.
“Institucionet e pavarura të Republikës, siç është KQZ jo vetëm që duhet të mbrojnë vlerat si rendi ligjor e kushtetues, por së paku duhet të ruajnë integritetin e tyre institucional. Nuk mund të lejohet që për t’i bërë vend në fletëvotim një strukture që e lufton shtetin e Kosovës dhe merr në mbrojtje terroristët, të shkelet kaq brutalisht Ligji për Zgjedhje dhe çdo praktikë e rregullt”, thuhet tutje në njoftimin e kësaj partie.
Andaj, Lëvizja vetëvendosje thotë se përmes kësaj ankese synon ta prapësojë këtë vendim të paligjshëm, të mbrojë rendin ligjor dhe të pamundësojë certifikimin e Listës Serbe.
Përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje, partisë në pushtet, më 23 dhjetor në mbledhjen e KQZ-së votuan kundër certifikimit të Listës Serbe për pjesëmarrje në zgjedhjet e përgjithshme të 9 shkurtit të këtij viti.
Ndryshe Lista Serbe është ankuar në PZAP, pasi në mbledhjen e 23 dhjetorit të KQZ-së, ky institucion nuk e ka certifikuar këtë subjekt politik, pas kundërshtimeve të partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje, me arsyetimin se kjo parti nuk e njeh shtetin e Kosovës.