Sekretari Organizativ i Lëvizjes Vetëvendosje, Alim Rama ka kërkuar nga ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, emërimin e anëtarit të tretë të KQZ-së nga ky subjekt politik, përcjell KosovaPost.
“Kjo kërkesë vjen duke marrë parasysh përbërjen e paplotësuar të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve gjatë mandatit të ish-Presidentes Osmani, si dhe mospranimin nga ana e Gjykatës Kushtetuese të kërkesës së saj për “vlerësimin e konfliktit ndërmjet kompetencave kushtetuese sipas nenit 113 (3) (1) të Kushtetutës së Republikës së Kosovës” (Nr. i lëndës: KO81/26). Duke pasur parasysh këtë përbërje të mangët, i jam drejtuar Ushtrueses së Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, znj. Haxhiu, që të procedojë me emërimin e anëtarit të tretë nga Lëvizja VETËVENDOSJE!, përkatësisht z. Nijazi Isaku”, thuhet në njoftimin e tij në facebook.
Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani kishte kërkuar nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës sqarim lidhur me emërimin e anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), pas mos-emërimit të një anëtari nga PDK dhe kërkesës së LVV për emërimin e tre anëtarëve në këtë institucion.
Kushtetuesja më pas ia ktheu duke mos e pranuar kërkesën e presidentes Vjosa Osmani për vlerësimin e kushtetutshmërisë për zgjedhjen e anëtarëve të KQZ-së.


























