Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar lidhur me kërkesën e Prokurorisë Speciale në Hagë për dënime me nga 45 vjet burg për katër ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Sipas lëvizjes, kjo kërkesë nuk përfaqëson një akt për drejtësi, por një politikë që synon të përmbysë rendin e së vërtetës historike. LVV thekson se Jugosllavia dhe Serbia e Millosheviqit kanë kryer gjenocid në Kosovë, ndërsa UÇK-ja ka luftuar për mbrojtjen e popullit shqiptar.
Në reagimin e saj thuhet:
“Kërkesa e Prokurorisë Speciale për dënime prej 45 vjetësh për ish-krerët e UÇK-së nuk është një kërkesë neutrale drejtësie, por një ndërhyrje politike në regjistrin e kujtesës dhe të historisë. Ky proces zhvendos vëmendjen nga agresori tek viktima dhe e paraqet rezistencën ndaj okupimit si krim, ndërsa okupimin si sfond të heshtur.”
LVV argumenton se pretendimi për një fushëveprim të gjerë të komanduar nga drejtuesit e UÇK-së është një tentativë për ta zhveshur luftën çlirimtare nga konteksti i saj politik dhe për ta reduktuar atë në çështje penale individuale.
“Pretendimi se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka qenë ndërmarrje kriminale është jo vetëm i pavërtetë, por edhe një tentativë për ta zhveshur nga historia luftën çlirimtare dhe për ta reduktuar atë në çështje penale individuale. UÇK-ja ishte shprehje kolektive e një populli të përjashtuar nga rendi politik, që u ngrit për të fituar të drejtën elementare për ekzistencë, liri dhe barazi,” thuhet në reagim.
Lëvizja vlerëson se gjykata Speciale, duke u marrë ekskluzivisht me luftën çlirimtare dhe jo me aparatin shtetëror serb të krimit, prodhon një barazi të rreme mes atij që shtyp dhe atij që çlirohet.
“Drejtësia e vërtetë fillon aty ku emërtohet saktë pushteti i dhunës gjenocidale dhe njihet legjitimiteti i luftës për liri. Pa këtë, çdo vendim është vetëm një formë tjetër e padrejtësisë”, thuhet në reagimin e LVV-së.


























