Presidenti francez, Emmanuel Macron, mes shqetësimeve të shkaktuara nga bisedimet SHBA-Rusi, ka deklaruar se Ukraina duhet të përfshihet në mënyrë aktive në çdo marrëveshje të paqes dhe se të drejtat e saj duhet të respektohen plotësisht, transmeton Anadolu.
Pas bisedimeve urgjente në Paris të hënën, Macron zhvilloi një takim të dytë urgjent për Ukrainën në një përpjekje për të koordinuar një përgjigje evropiane. Ai bisedoi me disa liderë të vendeve të Bashkimin Evropian (BE), si dhe me Kanadanë, Islandën dhe Norvegjinë, ku shumica morën pjesë përmes video-konferencës.
“Qëndrimi i Francës dhe i partnerëve të saj është i qartë dhe i bashkuar. Ne duam një paqe të qëndrueshme dhe solide në Ukrainë. Ne qëndrojmë përkrah Ukrainës dhe do të marrim të gjitha përgjegjësitë tona për të garantuar paqen dhe sigurinë në Evropë. Ky është interesi themelor i Francës dhe unë jam garantuesi i saj”, tha Macron në platformën sociale X.
Ai tha se BE-ja ndan objektivin e njëjtë si të presidentit të SHBA-së, Donald Trump, për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë. Megjithatë, theksoi ai, një përfundim i tillë kërkon përfshirjen e Ukrainës dhe duhet të përmbushë shqetësimet e sigurisë të evropianëve.
“Përpjekjet tona për paqen do të vazhdojnë në përputhje me parimet e mëposhtme, në interesin tonë. Ukraina duhet të përfshihet gjithmonë dhe të respektohen të drejtat e saj”, tha ai, duke shtuar se “paqja duhet të jetë e qëndrueshme dhe e shoqëruar me garanci të forta dhe të besueshme dhe shqetësimet e sigurisë së evropianëve duhet të merren parasysh”.
Ai theksoi se BE-ja është e bindur për nevojën për të rritur shpenzimet dhe kapacitetet e saj të mbrojtjes dhe sigurisë për Evropën dhe secilin prej vendeve tona.
“Vendimet do të merren në ditët dhe javët në vijim”, tha ai.


























