Presidenti amerikan Donald Trump është i gatshëm të marrë parasysh një propozim iranian që lejon “pasurim simbolik” të uraniumit, për sa kohë që nuk lë mundësi për prodhimin e një arme bërthamore, raportoi media amerikane të premten, duke iu referuar zyrtarëve të lartë amerikanë, transemton Anadolu.
Lajmi vjen pasi ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, tha se Teherani po finalizon një propozim që pritet të ndahet me Washingtonin brenda disa ditësh. Ai theksoi se plani përfshin angazhime politike dhe masa teknike për të garantuar se programi bërthamor është ekskluzivisht civil.
Sipas lajmit të faqes Axios, qëndrimi zyrtar i Washingtonit mbetet “zero pasurim” në tokën iraniane. Megjithatë, një zyrtar i lartë ka thënë se administrata do të shqyrtojë një propozim që përfshin pasurim të vogël ose “simbolik”, nëse Irani ofron garanci të detajuara.
“Presidenti Trump do të jetë i gatshëm të pranojë një marrëveshje që është domethënëse dhe që mund ta shesë politikisht në vendin e tij”, tha zyrtari, duke shtuar se çdo propozim duhet të jetë i detajuar dhe të demonstrojë se programi bërthamor i Iranit do të jetë paqësor.
Axios raportoi gjithashtu se Trump i është prezantuar me opsione ushtarake, përfshirë skenarë që targetojnë Liderin Suprem iranian Ali Khamenei, djalin e tij Mojtaba, i cili shihet si pasardhës potencial, dhe klerikë të tjerë të lartë. Një burim i dytë ka konfirmuar se disa javë më parë i ishte prezantuar Trumpit një plan për eliminimin e Khameneit dhe djalit të tij.
Burimet kanë thënë se ende nuk është marrë ndonjë vendim përfundimtar.
Një zyrtar i lartë i Shtëpisë së Bardhë ka thënë se çdo propozim iranian duhet të jetë “shumë i detajuar” dhe të tregojë se programi bërthamor është “i pafajshëm”, duke shtuar se Washingtoni do të vlerësojë ofertën sapo ajo të dorëzohet me shkrim.
Lajmi vjen pas paralajmërimeve të Trumpit se një veprim ushtarak amerikan ndaj Iranit mund të jetë i afërt, ndërsa forcat amerikane po forcojnë prezencën e tyre në rajon.


























