Lëvizja Vetëvendosje të hënën ka mbajtur tubim elektoral në qytetin e Vushtrrisë. Aty kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të kësaj komune i shoqëruar edhe nga zyrtarë të partisë, takuan mësimdhënësit e kësaj ane.
Kandidati i Vetëvendosjes për kryetar të Komunës së Vushtrrisë, Sylejman Meholli para mësimdhënësve të kësaj komune premtoi transformim të sistemit arsimor.
“Do të fillojmë me mësim gjithë ditor, aty ku ka kushte dhe ndërtimin e shkollave të reja për të realizuar mësimin gjithëditor. Do ta rrisim sigurinë në shkolla përmes instalimit të kamerave”, tha ndër të tjera ai.
“Në top prioritetet tona ndërtimi çerdheve, zotohemi se brenda mandatit do t’i ndërtojmë gjashtë çerdhe të reja si dhe sigurim të transportit falas për nxënës të shkollave të mesme”, ishin premtimet e tjera të Sulejman Mehollit që synon karrigen e kryetarit të komunës së Vushtrisë.
Përkrahje për realizimin e projekteve të prezantuara nga kandidati i Vetëvendosjes për Vushtrrinë premtoi, Arbërie Nagavci pasi u shpreh e bindur se ai do të jetë pranë qytetarëve.
Nagavci u kërkoi mësimdhënësve angazhim maksimal në kërkim të votës për kandidatin e Vetëvendosjes për Vushtrrinë.
“Kemi ndarë buxhetin e mjaftueshëm, vullneti ynë ka qenë. Ka munguar kërkesa nga komuna. Buxheti ekziston dhe mezi presim që të investojmë në komunën e Vushtrrisë. Janë projekte e programe dhe janë të realizueshme dhe do të realizohen në katër vitet e ardhshme. Ju inkurajoj të aktivizoheni deri në datën 12. Është e rëndësishme që të gjithë të votojmë. Por po ashtu t’i jepni përkrahje kandidatëve tanë për Kuvendin Komunal”, tha Nagavci.


























