Kryetari i Çairit, Izet Mexhiti ka uruar besimtarët për fillimin e muajit të shenjtë të Ramazanit. Ai ka përuruar edhe hapjen e xhamisë e re në Fushë Topanë, duke thënë se kjo xhami do të forcojë edhe më shumë ndjenjën e bashkësisë që e ka mbajtur gjallë këtë qytet, transmeton KosovaPost.
“Nga sonte nis Ramazani, muaji i dritës, qetësisë bashkimit dhe mëshirës. Muaji që na kujton durimin, përkushtimin dhe dashurinë ndaj tjetrit. Na afron me familjen, me fqinjin dhe me këdo që ka nevojë për një fjalë të mirë.
Në Çair, në rrugët e Shkupit dhe në lagjet ku jehona e ezanit është pjesë e përditshmërisë, Ramazani ka mbajtur gjithmonë një ndjenjë të veçantë. Edhe sonte solli një atmosferë që ndihet në çdo shtëpi, në çdo familje dhe në çdo njeri.
Dhe, në këtë natë të veçantë, në Fushë Topanë u hap dera e një xhamie të re. Një vend prehjeje për besimtarët, ku do të dëgjohen lutje, do të ndahen çaste qetësie e falënderimi dhe do të forcohen lidhjet mes njerëzve. Kjo Xhami do forcojë edhe më shumë ndjenjën e bashkësisë, që e ka mbajtur gjithmonë gjallë këtë qytet.
Le të jetë kjo natë një fillim i mbarë. Le të mbushet xhamia e re me lutje të sinqerta, me hapa besimtarësh dhe me paqe. Le të sjellë Ramazani shëndet, begati dhe qetësi në çdo familje.
Urime fillimi i Ramazanit! Qoftë një muaj drite, faljeje dhe mirësie për të gjithë”, ka shkruar Mexhiti.


























