Sindikata e Pavarur e Minatorëve të Trepçës ka njoftuar se është tërhequr nga mbajtja e protestës të planifikuar të enjten, pas vendimit të marrë nga Qeveria e Kosovës për të ndarë 4 milionë euro për ndërmarrjen “Trepça” për t’i subvencionuar pagat e minatorëve.
“Nisur nga fakti se ditën e djeshme kemi njoftuar se do të mbajmë protestë pranë Qeverisë së Republikës së Kosovës, me qëllimin e vetëm që të kërkojmë ekzekutimin e pagave të papaguara, e duke pasur parasysh reflektimin e Qeverisë, ne tërhiqemi nga protesta që do të ndodhte nesër”, thuhet në njoftimin e Sindikatës.
Sindikata ka thënë se qëllimi i minatorëve për ekzekutimin e pagave thuajse është realizuar dhe se vlerësohet se mbajtja e protestës është e panevojshme.
“Ky ka qenë edhe qëllimi i vetëm i protestës dhe në asnjë moment kërkesave të minatorëve nuk mund dhe s’duhet t’i vihen ngjyrime politike. Minatorët nuk kanë kërkuar dhe nuk kërkojnë asgjë tjetër, përveç kushte për punë dhe paga dinjitoze. Përkushtimi ynë për punë në minierë është dhe do të mbetet përherë i palëkundur. Prandaj lusim të gjithë minatorët t’i kthehen punës”, është thënë nga Sindikata.