Ministri i Sportit dhe Rinisë, Blerim Gashani, ka marrë vendim për rritjen e koeficientit të mbështetjes financiare për sportistet dhe trajneret femra me 100 për qind.
Me këtë vendim, mbështetja mujore për to dyfishohet, duke u rritur nga 200 euro në 400 euro. Vendimi synon të forcojë pozitën e grave në sport dhe të krijojë më shumë mundësi për zhvillim profesional dhe përfaqësim dinjitoz në arenën sportive.
Ministri Gashani theksoi se ky është një hap konkret drejt fuqizimit të grave në sport dhe vlerësimit të kontributit të tyre ndër vite.
“Sportistet e Kosovës kanë sjellë ndër vite sukseset më të mëdha ndërkombëtare për vendin tonë, duke ngritur lart flamurin e Kosovës dhe duke promovuar sportin kosovar në arenën ndërkombëtare. Rritja e mbështetjes financiare është një vlerësim për punën dhe përkushtimin e tyre, si dhe një stimul për zhvillimin e mëtejshëm të sportit femëror”, deklaroi ministri Gashani.
Sipas Ministrisë së Sportit dhe Rinisë, ky vendim përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt krijimit të politikave më të barabarta në sport dhe avancimit të rolit të grave në këtë fushë.
Ministria ka bërë të ditur se do të vazhdojë të ndërtojë mekanizma dhe politika që mbështesin sportistet dhe trajneret femra, me synim zhvillimin e barabartë dhe rritjen e rezultateve të sportit kosovar në nivel ndërkombëtar.


























