Ministri i Mbrojtjes i Bosnjës dhe Hercegovinës, Zukan Helez, ka reaguar ndaj protestave të studentëve që po zhvillohen prej disa ditësh në Serbi.
Ai tha se studentët kërkojnë një sistem të rregullt, një shtet ligjor, një qeverisje të lirë… kryesisht çdo gjë që është normale, e cila, siç thotë ai, nuk ka qenë në Serbi në dekadat e fundit.
“Në Serbinë fqinje prej disa ditësh po zhvillohen protestat e studentëve, të cilat kanë nisur pas shembjes së mburojës në stacionin hekurudhor në Novi Sad, ku humbën jetën 15 persona. Studentët në fillim të protestave kërkuan përgjegjësinë për këtë aksident, publikimin e të gjithë dokumentacionit për rindërtimin e stacionit hekurudhor në Novi Sad”.
“Përgjigja e regjimit të Vuçiqit ishte që t’i dërgonte banditët te studentët, t’i sulmonte fizikisht, t’i ofendonte dhe kështu të përpiqej t’i shtypte nga brenda këto protesta qysh në start. Mediat nën kontrollin e Alleksandar Vuçiqit dhe pothuajse të gjitha janë nën kontrollin e tij, i quajnë studentët tradhtarë dhe mercenarë. Nuk është hera e parë që regjimi i Vuçiqit tenton të përmbajë dhe shtypë protestat në këtë mënyrë”.
“Studentët tani kërkojnë një sistem të rregullt, shtet ligjor, shoqëri të lirë, qeverisje të përgjegjshme dhe luftë kundër korrupsionit. Gjithçka që është normale dhe që nuk ka qenë në Serbi në dekadat e fundit”, u shpreh ministri boshnjak në një postim në Facebook, i publikuar ditën e djeshme, raporton Klankosova.tv.
Në letrën që Helez e ka publikuar, thuhet se Serbia sot është thjesht një krahinë ruse, e mbushur me urrejtje ndaj fqinjëve.
Ai po ashtu flet edhe për mitin serb për Kosovën, duke ua bërë të qartë serbëve se vendi është shtet i pavarur.
“Serbia e sotme nuk është gjë tjetër veçse një krahinë ruse, e mbushur me nazizëm neo-çetnik, urrejtje për shqiptarët, boshnjakët, kroatët, vlerat e tjera dhe të ndryshme evropiane, lirinë dhe barazinë. Regjimi i Vuçiqit ende ruan mitin e Kosovës si pjesë e Serbisë, edhe pse Kosova është shtet i pavarur, i njohur ndërkombëtarisht nga më shumë se 100 shtete të botës”, tha Helez, raporton Klankosova.tv.
Më tej, ministri pati një pyetje për “të manipuluarit” e Vuçiqit në raport me Kosovën. “Çfarë mendojnë mbështetësit e manipuluar të Vuçiqit kur shohin Kosovën duke luajtur një ndeshje ndërkombëtare, me çfarë ngushëllohen, çfarë gënjejnë veten”?
Helez thotë se Vuçiqi është me detyrë të “dorëzimit të Kosovës”. Sipas tij, “askush nuk mund ta bënte më ‘paqësisht’ sesa një nacionalist dhe radikal si Alleksandar Vuçiq”.
“Duket se ky është fundi i rolit të tij dhe se Rusia do ta presë me krahë hapur si diktatorët e tjerë të botës së bardhë”, tha ministri boshnjak.
Zëvendëskryesuesi i Këshillit të Ministrave në BeH tha po ashtu se forca e studentëve nuk duhet të merret me dyshime nga askush, duke përmendur se ishin pikërisht studentët “ata që i dhanë fund sundimit të një nacionalisti tjetër, Sllobodan Millosheviqit”.
Ministri boshnjak dëshiron që Serbia të jetë një fqinj i mirë i vendit të tij dhe theksoi se interesi i të gjithë qytetarëve në Bosnje dhe Hercegovinë është një Serbi demokratike dhe e lirë.
“Për këtë arsye, unë u jap mbështetje të plotë studentëve në Serbi në përpjekjet e tyre për ta bërë Serbinë një shtet ligjor dhe të gjithë qytetarët e saj të lirë dhe të barabartë”.
“Nëse nuk e përkrahni luftën e dikujt për drejtësi, liri e demokraci dhe nuk kultivoni vlera të tilla, pyesni veten se kë po përkrahni dhe në anën e kujt jeni, sepse historia regjistron gjithçka dhe nuk fal askënd”, ka shkruar ministri boshnjak, Zukan Helez. /