Ministria e Ekonomisë dhe KOSTT, kanë ftuar qytetarët e Kosovës për kursim të energjisë elektrike, pasi ngarkesa ka arritur nivele rekord.
KOSTT njofton se sistemi elektro-energjetik i Kosovës po përballet me ngarkesa maksimale pas rritjes rekord të konsumit të energjisë elektrike.
‘Për të ruajtur stabilitetin e furnizimit dhe për të shmangur masat e reduktimit të energjisë, është thelbësore që të gjithë qytetarët, bizneset, institucionet, të përdorin energjinë elektrike në mënyrë sa më racionale, dhe të bëjnë thirrje tek të gjithë për kursim të energjisë elektrike, pasi ngarkesa ka arritur nivele rekord”, njofton KOSTT.
KOSTT i bën thirrje të gjithë qytetarëve, institucioneve dhe bizneseve të angazhohen për zbatim të masave për kursimin e energjisë elektrike.
“Përdorimi më i kujdesshëm dhe efikas i energjisë elektrike është jetik për të siguruar furnizim të qëndrueshëm dhe për të mbështetur integritetin e sistemit energjetik duke qenë që po hyjmë në sezonë dimërore dhe në prag të festave të fundvitit”, njofton KOSTT.
Ministria e Ekonomisë, ka ftuar të kursehet energjia elektrike, prej orës 18:00-24:00, kur çmimi i importit është i lartë.
“Nëse keni mundësi përdorni burime alternative për ngrohje: Stufë me dru apo pelet. Vendosni kondicionerin në temperaturë optimale 24 gradë Celsius. Lëshoni ngrohësin e ujit vetëm kur ju nevojitet. Fikni dritat e panevojshme. Përdorni lavatriçen pas orës 24:00. Uleni koston e energjisë për vete duke kursyer për të gjithë. Çdo veprim çon peshë”, thuhet në apelin e Ministrisë e Ekonomisë