Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) njofton se ka hapur zyrat e Agjencisë Për Regjistrimin e Bizneseve (ARBK) dhe Inspektoratit Qendror të Tregut (IQT) në Leposaviq, për ofrim të shërbimeve ndaj biznesit dhe shtrirje të mbikqyrjes së tregut në veri të vendit, përcjell KosovaPost.
Për këtë rast, ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ka zhvilluar sot një vizitë në komunën e Leposaviqit, ku u prit nga kryetari i kësaj komune, Lulzim Hetemi.
Takimi u zhvillua në atmosferë shumë miqësore, gjatë të cilit kryetari Hetemi e njoftoi ministren Hajdari për ecurinë e punëve dhe progresin e arritur në komunë.
“Me këtë rast u nënshkrua edhe marrëveshja ndërmjet ARBK-së dhe komunës së Leposaviqit, e cila u nënshkrua nga drejtorja e ARBK-së, Lebibe Haliti dhe kryetarit të komunës Lulzim Hetemi. Kjo marrëveshje mundëson që tash e tutje bizneset e reja të regjistrohen si dhe të marrin shërbime tjera në zyrën e ARBK-së, në komunën e Leposaviqit”, thuhet në njoftimin e MINT-it.
Përveç kësaj, në komunë të Leposaviqit, do të vendosën së shpejti edhe Inspektorati Qendror i Tregut të cilët do të kontribuojnë në shtrirjen e mbikqyrjes së tregut në veri të vendit.