Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë e Inovacionit ka bërë të ditura çmimet e ekspozuara sot për konsumatorët në pikat e shitjes me pakicë në Kosovë. Sipas monitorimit të realizuar në tregun vendor, thonë se nafta sillet nga 1.44 euro në litër deri në 1.54 euro, ndërkohë benzina nga 1.18 euro në litër deri në 1.31 euro.
“Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut, që vepron në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, e njofton opinionin publik se, në kuadër të monitorimit të vazhdueshëm të tregut të derivateve të naftës, është duke realizuar mbikëqyrje intensive lidhur me zbatimin e Vendimit për rregullimin e përkohshëm të çmimeve dhe caktimin e masave të tjera mbrojtëse të nënshkruajë nga ministrja znj. Mimoza Kusari Lila, me datën 04.03.2026, me qëllim të mbrojtjes së konsumatorit, rritjen e transparencës, mbrojtjen e konkurrencës së ndershme, si dhe mënjanimin e çrregullimeve në treg”, thuhet në njoftim.
Gjithashtu, kanë bërë të ditur se Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut së bashku me Administratën Tatimore të Kosovës është duke realizuar analiza të të dhënave lidhur edhe me çmimet e importit.
“Sipas të dhënave zyrtare të siguruara nga evidencat e Doganës së Kosovës, çmimi mesatar i importit për derivatet e naftës gjatë ditës së martë, datë: 10.03.2026, ka qenë si në vijim: Naftë (Dizel): 1.45 €/litër; Benzinë: 1.17 €/litër”, thuhet në njoftim.
Ministria thotë se bazuar në vendimin e datës 04.03.2026 për rregullimin e përkohshëm të çmimeve dhe caktimit të masave të tjera mbrojtëse, është vendosur marzha tregtare maksimale e lejuar si vijon: dy (2) eurocentë për litër të produktit të shitur me shumicë dhe dymbëdhjetë (12) eurocentë për litër të produktit të shitur me pakicë.
“Marzhë tregtare domethënë ndryshimi mes çmimit të shitjes dhe çmimit të furnizimit”, thotë MINTI.
Ka bërë të ditur se Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut do të vazhdojë të monitorojë dhe inspektojë në mënyrë intensive zhvillimet në tregun e derivateve të naftës së bashku me Doganën e Kosovës, Administratën Tatimore të Kosovës si dhe Autoritetin e Konkurrencës së Kosovës dhe, në të gjitha rastet ku identifikohen parregullsi eventuale, mos respektim i vendimit të marzhës apo praktikave që mund të dëmtojnë konkurrencën dhe konsumatorët, do të ndërmerren masa rigoroze të parapara me legjislacionin në fuqi.


























