Thinking Machines Lab, startup-i i inteligjencës artificiale i themeluar nga shqiptarja Mira Murati, ka njoftuar një partneritet strategjik shumëvjeçar me Nvidia, kompani amerikane e teknologjisë e njohur për prodhimin e çipave për inteligjencë artificiale.
Bashkëpunimi mes Nvidia dhe startup-it të inteligjencës artificiale Thinking Machines Lab, i themeluar nga Murati, synon të mbështesë trajnimin e modeleve të avancuara të AI dhe të ofrojë platforma të personalizueshme në një shkallë të paprecedentë. Marrëveshja përfshin gjithashtu një investim të konsiderueshëm nga Nvidia për të forcuar rritjen afatgjatë dhe kapacitetet kërkimore të startup-it.
Thinking Machines është një kompani me mision publik e themeluar nga Murati në fillim të vitit 2025.
Murati, e cila më parë ka qenë CTO e OpenAI, e ka pozicionuar shpejt kompaninë e saj të re si një konkurrent në garën e inteligjencës artificiale. Thinking Machines më parë kishte siguruar një raund fillestar financimi prej 2 miliardë dollarësh, që e vlerësoi kompaninë me 12 miliardë dollarë vetëm pak muaj pas themelimit.
Partneriteti fokusohet në dizajnimin e sistemeve të specializuara për trajnim dhe shërbim të modeleve të AI, si dhe në zgjerimin e qasjes në modele të hapura për bizneset dhe komunitetin shkencor. Kompania planifikon të përdorë këto arkitektura të Nvidia për të përmirësuar API-në e saj “Tinker” dhe mjete të tjera për ndërveprimin mes njerëzve dhe inteligjencës artificiale.
“Inteligjenca artificiale është instrumenti më i fuqishëm për zbulimin e njohurive në historinë e njerëzimit”, ka deklaruar Jensen Huang, themelues dhe CEO i Nvidia.
Ndërkohë, Murati ka theksuar se ky bashkëpunim krijon bazën e nevojshme për ndërtimin e sistemeve të kuptueshme dhe bashkëpunuese të inteligjencës artificiale.
Sipas raportimit, Nvidia ende nuk i është përgjigjur kërkesës për koment nga Investing.com, ndërsa aksionet e kompanisë u rritën rreth 1.7% gjatë tregtimit në mesditë.


























