Sipas një mjeku norvegjez, që punon në spitalin Al-Shifa në Gaza për 16 vjet, spitali është shndërruar në një “Shtëpi të vdekjes nga Izraeli dhe SHBA-ja”, transmeton Anadolu.
“Sot, ne jemi dëshmitarë të shkatërrimit total izraelit të spitalit special më të rëndësishëm me 700 shtretër në Gaza, kompleksit Al-Shifa”, shkroi mjeku Mads Gilbert në llogarinë e tij në X.
“Emri Shifa, që do të thotë ‘Shtëpi e shërimit’, tani është kthyer në një ‘Shtëpi të vdekjes’ nga Izraeli dhe SHBA-ja, e djegur, e shkatërruar tërësisht nën rrënoja dhe e kthyer në një varrezë pacientësh, personeli mjekësor, të afërmish dhe refugjatësh”, tha Gilbert, duke theksuar se spitali u krijua gjatë mandatit britanik.
Ai theksoi se kjo shënon një “simbol të politikës së pashpirt dhe cinike izraelitë të pushtimit kolonial, me qëllim eliminimin e popullit palestinez, institucioneve dhe jetëve të tyre”.
“Qeveritë e SHBA-së, BE-së dhe Mbretërisë së Bashkuar qëndrojnë të turpëruara, bashkëpunëtore me mbështetjen e tyre për krimet e luftës dhe mizoritë izraelite kundër gjithë njerëzimit”, shtoi ai.
Më herët gjatë ditës, Izraeli njoftoi se është tërhequr nga kompleksi më i madh shëndetësor në Rripin e Gazës, spitalin Al-Shifa dhe rrethinat e tij, pas bastisjes 2-javore atje, që filluan më 18 mars.
Gjatë sulmeve 14-ditore, ushtria izraelite vrau mbi 200 palestinezë dhe mbajti mbi 900 palestinezë brenda dhe përreth spitalit.
Më parë, spitali ishte bastisur më 16 nëntor pasi ishte i rrethuar për një javë, kur u shkatërruan oborret e tij, pjesë të ndërtesave, pajisjet mjekësore dhe gjeneratori i energjisë.
Izraeli ka zhvilluar një ofensivë vdekjeprurëse ushtarake në Rripin e Gazës që nga sulmi ndërkufitar i Hamasit më 7 tetor, në të cilin sipas Tel Avivit u vranë rreth 1.200 njerëz.
Që atëherë, të paktën 32.845 palestinezë janë vrarë dhe rreth 75.400 të tjerë janë plagosur në Rripin e Gazës së bllokuar në mes të shkatërrimit në masë dhe mungesës së nevojave.
Sipas Kombeve të Bashkuara (OKB), lufta izraelite ka çuar në zhvendosjen e brendshme të 85 për qind të popullsisë së Gazës mes mungesës akute të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve. Po ashtu 60 për qind e infrastrukturës së enklavës është dëmtuar ose shkatërruar.
Izraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila në një vendim të përkohshëm në muajin janar urdhëroi Tel Avivin të ndalojë aktet e gjenocidit dhe së fundmi gjithashtu kërkoi nga Izraeli të marrë masa për të parandaluar urinë në Gaza.