Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit është aprovuar si anëtar i plotë për të përfaqësuar Kosovën në “European Youth Card Association” (EYCA) me vendim të Asamblesë së Përgjithshme të këtij institucioni.
“Ky status krijon një kornizë më të qartë dhe më të qëndrueshme për funksionimin e Kartës Rinore Evropiane në Kosovë, duke siguruar vazhdimësi institucionale dhe përputhje me standardet e rrjetit evropian EYCA. Për të rinjtë, kjo nënkupton më shumë stabilitet, më shumë besueshmëri dhe zgjerim të përfitimeve në nivel kombëtar dhe evropian”, thuhet në komunikatën e dërguar për media.
Struktura implementuese e Kartës Rinore Evropiane në Kosovë, e përbërë nga organizatat e BONEVET në bashkëpunim me @Kosovamakers dhe KosovaIdeas , i përbërë nga tetë (8) organizata në qytete të ndryshme, ka përshëndetur këtë vendim.
“Ky vendim vjen si rezultat i punës së vazhdueshme dhe rezultateve konkrete që EYCA Kosovo ka arritur që në vitin e parë të operimit. Zhvillimi i qëndrueshëm i kartës, rritja e numrit të mbajtësve dhe partneriteteve, si dhe përmbushja e standardeve të rrjetit EYCA, kanë krijuar bazën për avancimin e statusit të Kosovës në Full Member brenda një periudhe të shkurtër kohore. Anëtarësimi i plotë në EYCA e pozicionon Kartën Rinore Evropiane në Kosovë si një mekanizëm të rëndësishëm për përfshirjen e të rinjve në rrjetin evropian dhe për rritjen e qasjes së tyre në përfitime dhe mundësi afatgjata”, vazhdon njoftimi.

























