Murati jep sqarime rreth Pilotimit të Skemës së Asistencës Sociale

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka dhënë sqarime për Pilotimin e Skemës së Asistencës Sociale. Ai ka njoftuar se shumë qytetarë e kanë pyetur ministrinë për këtë temë, përcjell KosovaPost.

“Me gjasë keqkuptimi kryesor është se kush mund të aplikojë dhe kush kualifikohet për përfitim”, ka thënë Murati.

Ministri ka treguar shprehur se skema në fjalë është skemë e ndihmës sociale për t’i mbështetur familjet e varfra dhe me kushte të rënda ekonomike.

“Pra është vazhdimësi e skemës së ndihmës sociale ekzistuese, veçse me dallimin që hiqet kriteri diskriminues për të pasur fëmijë nën 5 vjeç, si dhe nuk ndërpritet ndihma sociale me automatizëm që në muajin e parë që familja gjeneron të ardhura, por i jep mundësinë familjes për një fazë tranzicioni për së paku 3 muaj”, ka shkruar Murati në “Facebook”.

Ndër të tjera, ai ka informuar edhe se a mund të aplikojnë familjet që aktualisht marrin ndihmë sociale.

“Mund të aplikojnë edhe ato familje që aktualisht marrin ndihmë sociale por që, nëse kualifikohen, atëherë largohen nga ndihma sociale ekzistuese dhe kalojnë në skemën e pilotuar. Pra nuk mund të përfitojnë dy ndihma sociale, por vetëm njërën.

Skema e pilotuar e ofron përparësinë që nëse dikush nga familja punësohet, familja nuk përjashtohet me automatizëm nga ndihma sociale, por jepet mundësia e një faze tranzicioni”, ka shkruar ai.

Murati ka njoftuar se a mund të aplikojë familja që ka të ardhura nga ndonjë skemë pensionale, apo të ardhura të tjera që nuk mjaftojnë.

“Aplikimi është i hapur për të gjitha familjet në gjendje të rëndë ekonomike, mirëpo vlerësimi se kush mund të përfitojë pastaj bëhet nga komisionet përkatëse. Vlerësimi merr për bazë të ardhurat e familjes si dhe pasurinë e luajtshme dhe të paluajtshme. Procesi i verifikimit përfshin edhe vizitat te familja nga ana e komisionit vlerësues, për ta parë nga afër gjendjen ekonomike të familjes. Dhe vetëm pasi të jenë plotësuar kriteret dhe të vërtetohet gjendja e rëndë ekonomike, përcaktohen përfituesit nga kjo skemë”, ka shkruar tutje ai.

Ai, po ashtu, ka dhënë sqarime se a mund të përfitojnë të gjitha familjet që kanë fëmijë nën 18 vjeç.

“Shtesat për fëmijë 0-16 vjeç janë skemë e veçantë, që paguhet me rregull çdo muaj, pavarësisht gjendjes ekonomike të familjes. Ndërsa skema e pilotimit të asistencës sociale nuk ka të bëjë me shtesat për fëmijë, dhe bazohet kryekëput në gjendjen e rëndë ekonomike të familjes kur përzgjedhen përfituesit. Andaj nëse mendoni që nuk i takoni kategorisë me gjendje të rëndë ekonomike, nuk rekomandohet të aplikoni sepse gjasat janë të larta që nuk përmbushni kriteret për të përfituar nga kjo skemë”, ka treguar Murati.

 

Të ngjajshme

AlbanianBosnianEnglishGermanTurkish