Analisti i sigurisë njëherësh kryetar i Bordit të Institutit “Octopus”, Agim Musliu, tha se presidenti i Serbisë , Aleksandër Vuçiq po ndërhyn në zgjedhjet lokale në Kosovë.
“Aleksandër Vuçiq shpërndan propagandë dhe gënjeshtra mbi procesin zgjedhor në Kosovë duke shënuar kështu ndërhyrje në një proces të lirë e demokratik zgjedhor në një shtet sovran. Ai po përdor këtë provokim pjesërisht për ta shkarkuar mllefin mbi humbjen e mbrëmshme në futboll të Serbisë prej Shqipërisë, dhe pjesërisht për të tentuar të diskreditojë rregullsinë e zgjedhjeve në rast se gjërat për Listën Serbe nuk shkojnë si duhet. Deklaratat e Vuçiq përputhen plotësisht me narracionin e mediave ruse si RT Balkan duke potencuar “nervozizmin e shqiptareve për shkak të pjesëmarrjes së lartë të serbëve”, me qëllim krijimin e përshtypjeve që ka tensione mes shqiptarëve dhe serbëve”, ka shkruar Musliu në ‘Facebook’, transmeton KosovaPost.


























