Ministrja në detyrë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ka bërë të ditur se 313 fëmijë nga familjet përfituese të Skemës së Asistencës Sociale do të përfshihen në edukimin e hershëm përmes Programit të Kuponëve.
Sipas Nagavcit, Ministria e Arsimit do të mbulojë shpenzimet e kopshtit dhe të transportit për këta fëmijë, duke u mundësuar atyre qasje të barabartë në arsimin parashkollor.
Ajo theksoi se ky program është pjesë e zotimit institucional për rritjen e përfshirjes së fëmijëve të moshës 3–5 vjeç në edukimin e hershëm, veçanërisht të atyre që vijnë nga familje me kushte të pafavorshme socio-ekonomike.
“Përmes Programit të Kuponëve po ofrojmë mbështetje të drejtpërdrejtë dhe konkrete për familjet përfituese, duke garantuar mundësi të barabarta për çdo fëmijë”, ka deklaruar Nagavci.
Ministrja ka falënderuar ministrin e Financave, Hekuran Murati, stafin e MAShTI-t dhe Bankën Botërore për bashkëpunimin dhe angazhimin në realizimin e këtij programi, duke ritheksuar se institucionet do të vazhdojnë me përkushtim për të garantuar qasje gjithëpërfshirëse në edukimin e hershëm në Kosovë.


























