Akademia e Shkencave e Shqipërisë njoftoi se është ndarë nga jeta akademik Minir Dushi, një figurë e shquar e shkencës dhe arsimit në Kosovë dhe në hapësirën mbarëshqiptare.
Me këtë rast, ASHSH i dërgoi një letër ngushëllimi Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, ku mes te tjerash shkruhet:
“Akademik Minir Dushit ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në fushën e xehetarisë dhe metalurgjisë, si dhe ka luajtur një rol kyç në themelimin dhe drejtimin e institucioneve të rëndësishme shkencore dhe arsimore në Kosovë.
Trashëgimia e tij akademike mbetet një pasuri e çmuar për brezat e ardhshëm, ndërsa veprat dhe përkushtimi i tij ndaj arsimit kanë lënë gjurmë të pashlyeshme, duke ndihmuar në vendosjen e themeleve për zhvillimin e mëtejshëm të arsimit dhe kërkimit shkencor në vend. Roli i tij në themelimin dhe forcimin e Universitetit të Prishtinës përbën një tjetër arritje madhore që do të kujtohet ngahera. Si zëvendësrektor i parë dhe më pas rektor i këtij institucioni, ai e drejtoi atë me vizion dhe përkushtim, duke kontribuar në ngritjen e standardeve akademike dhe në edukimin e një brezi të ri shkencëtarësh dhe profesionistësh të talentuar.”atsh.