Policia e Kosovës ka arrestuar tre zyrtarë të Federatës së Karatesë së Kosovës (FKK), si të dyshuar për keqpërdorim të mjeteve financiare të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS).
“Hetuesit nga Sektori për Hetime Financiare, pas pranimit të një informate, të njëjtën e kanë trajtuar dhe gjatë mbledhjes së dëshmive, kane ngritur dyshime se zyrtarët e Federatës se Karatesë të Kosovës (FKK), kanë keqpërdorur mjetet financiare të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS). Të dyshuarit: N.G., (viti i lindjes 1974, mashkull kosovar), F.M., (viti i lindjes 1982, femër kosovare) dhe I.K., (viti i lindjes 1968, mashkull kosovar), me veprimet e tyre kundërligjore, dyshohet se në periudhën kohore 2019-2023, i kanë shkaktuar dëm buxhetit të MKRS në vlerë prej 87,463.00€ (tetëdhjetë e shtatëmijë e katërqind e gjashtëdhjetë e tri euro). Të dyshuarit janë arrestuar, janë intervistuar dhe ndaj tyre është iniciuar rasti: ‘Mashtrim me Subvencione’. Pas intervistimit, ndaj të dyshuarve N.G., dhe F.M., është caktuar masa e ndalimit për 48 orë, ndërsa I.K., është liruar në procedurë të rregullt”, ka njoftuar Policia e Kosovës.