Një nga gratë që ka folur publikisht për përvojën e saj me financierin amerikan Jeffrey Epstein, Juliette Bryant, ka rrëfyer detaje të reja mbi mënyrën si, sipas saj, u rekrutua me premtimin e një karriere ndërkombëtare në modelim.
Bryant jetonte në Afrikën e Jugut, ku studionte psikologji dhe filozofi, ndërsa kishte nisur të punonte edhe si modele, kur sipas dëshmisë së saj takoi Epstein në një restorant.
Ajo tregon se një vajzë iu afrua dhe i tha se në ambient ndodhej një person me ndikim, i shoqëruar nga figura të njohura publike, përfshirë ish-presidentin amerikan Bill Clinton dhe aktorët Kevin Spacey dhe Chris Tucker. Sipas saj, iu tha gjithashtu se miku i Epstein, Leslie Wexner, zotëronte markën Victoria’s Secret dhe se një takim me ta mund ta ndihmonte në karrierën e saj.
Bryant pretendon se pas atij takimi u kontaktua sërish dhe iu kërkua të paraqiste portofolin e saj të modelimit. Ajo thotë se nga zyra e Epstein iu siguruan dokumentet për vizë, biletat dhe organizimi i udhëtimit drejt Shteteve të Bashkuara.
Sipas saj, procedurat për marrjen e vizës u përshpejtuan në mënyrë të pazakontë. “Zakonisht është shumë e vështirë të marrësh vizë në Afrikën e Jugut, por brenda rreth tre javësh isha në SHBA”, ka deklaruar ajo.
Bryant shprehet se vetëm vite më vonë arriti të kuptojë plotësisht situatën në të cilën ishte përfshirë. Ajo pretendon se u dërgua në një ishull privat dhe u izolua, pa iu ofruar asnjëherë mundësi reale për modelim.
“Në atë kohë isha e tronditur, sidomos sepse përfshinte njerëz me pushtet. Më çuan në një ishull dhe më izoluan. Nuk pati kurrë ndonjë ofertë konkrete për modelim. Në thelb, më mashtruan”, ka rrëfyer ajo.
Ishulli në fjalë lidhet me pronën private të Epstein në Karaibe, e njohur si Little Saint James, që u bë simbol i skandalit të tij.
Jeffrey Epstein u arrestua në vitin 2019 me akuza për trafikim seksual të të miturve dhe më vonë u gjet i vdekur në qelinë e tij në Nju Jork. Çështja e tij ka përfshirë një numër të madh akuzash dhe ka ngritur pikëpyetje për lidhjet e tij me figura të njohura politike dhe të biznesit.


























