Nga qeveria e Maqedonisë së Veriut kanë thënë se në janar 2025 do të hapet tenderi për tunelin që do ta lidhë Kosovën me Maqedoninë e Veriut nga pjesa e Tetovës. Ndërkaq, Kosova veçse ka nisur këtë rrugë kohë më parë.
Zëvendëskryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, Izet Mexhiti, ka paralajmëruar se në muajin janar do të hapet tenderimi për projektimin e tunelit që do të lidhë Prizrenin me Tetovën.
“U ripërtrinë grupet e punës dhe prej janarit pritet të hapet tenderimi për projektimin e tunelit,6.2 kilometra që është pak më i gjatë se i Kalimashit që dukshëm do jetë zgjidhje dhe lehtësim për qarkullimin e qytetarëve dhe mallrave në dy shtetet tona”, deklaroi Mexhiti.
E për ndërtimin e autostradave nga Tetova deri në kufij me Shqipërinë foli sot ministri maqedonas i Transportit, Aleksandër Nikolovski.
Ai paralajmëroi se deri në fillim të verës do të lëshohen në qarkullim 40 kilometrat e para të autostradës Strugë-Kërçovë.
“Deri në fillim të sezonit të ardhshëm turistik, bëhet fjalë për rreth 40km, do ta përfundojmë pjesën e autostradës mes hyrjes së Ohrit dhe fshatit Vërbjan, ndërsa deri në fund të 2026-s do të përfundojë tërësisht autostrada nga Kërçova deri në Ohër”, tha Nikolovski.
Sa i përket autostradës Shkup-Bllacë, Nikolovski është shprehur se fillimisht prokuroria do të hetojë krimin e dyshuar në ndërtimin e kësaj autostrade e pastaj do të vazhdojnë punimet për ndërtimin e saj.
Duke filluar nga viti i ardhshëm, Maqedonia e Veriut dhe Kosova do të kenë vendkalime të përbashkëta kufitare, duke lehtësuar kështu edhe lëvizjen e lirë të qytetarëve dhe mallrave./rtk