Pak para fillimit të vitit të ri shkollor, të dhënat e reja nga Fondi Austriak për Integrim (ÖIF) ndezën debat në opinion: Islami është bërë përkatësia fetare më e përhapur në shkollat publike fillore dhe të mesme të Vjenës, përcjell Kosova Post.
Në vitin shkollor 2024/25, nga rreth 112.600 nxënës në shkollat e detyrueshme të Vjenës (fillore, të mesme, speciale dhe profesionale), 41,2% i përkasin Islamit, ndërsa 34,5% i përkasin ndonjërit prej denominimeve të krishtera – më së shumti katolikëve romakë (17,5%), pastaj ortodoksëve (14,5%) dhe evangjelikëve (1,7%). Gati një e katërta (23%) e nxënësve nuk kanë asnjë përkatësi fetare.
Ky trend është veçanërisht i theksuar në shkollat e mesme dhe profesionale, ku nxënësit myslimanë përbëjnë gati 49% të popullsisë, ndërsa përqindja e të krishterëve është vetëm mes 31 dhe 33%. Në shkollat fillore tabloja është pak më e barabartë – 37,7% myslimanë, 32,1% të krishterë dhe 26,2% pa fe.
Në një kontekst më të gjerë, 54,2% e të rinjve në Vjenë kanë prejardhje migrante – një e treta janë lindur jashtë Austrisë (gjenerata e parë), ndërsa dy të tretat janë lindur në vend, por me prindër të lindur jashtë (gjenerata e dytë). Grupet më të mëdha janë sirianët, ukrainasit dhe gjermanët, sipas statistikave të janarit 2025.
Gjithashtu, gati çdo fëmijë i dytë në Vjenë (49%) nuk e përdor gjermanishten si gjuhë kryesore në shtëpi. Në disa lagje, si Favoriten, ky numër arrin deri në 72%.
Këto të dhëna nxisin më tej debatet për integrimin, politikat arsimore dhe identitetin e kryeqytetit austriak, i cili po ndryshon gjithnjë e më shumë nga ana demografike./KosovaPost/


























