Gjashtë liderët e BE-së që negociojnë detyrat kryesore të bllokut kanë rënë dakord që Ursula von der Leyen e Gjermanisë, António Costa e Portugalisë dhe Kaja Kallas e Estonisë duhet të marrin pozitat më të larta në Komisionin Evropian, Këshillin Evropian dhe shërbimin e politikës së jashtme, sipas pesë zyrtarëve të BE-së.
Gjashtë negociatorët janë kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, dhe kryeministri polak, Donald Tusk, (për Partinë Popullore Evropiane), kryeministri spanjoll, Pedro Sánchez, dhe kancelari gjerman Olaf Scholz (për socialistët), si dhe presidenti francez, Emmanuel Macron, dhe kryeministri holandez Mark Rutte (për liberalët), njofton Politico.
Hapi tjetër do të jetë takimi i liderëve të BE-së në Bruksel të enjten, ku të tre emrat do t’u paraqiten krerëve të shteteve dhe qeverive për miratim.
Një nga zyrtarët, në kushte anonimiteti, për diskutimet mbi negociatat e ndjeshme, tha se kryeministres italiane, Giorgia Meloni, nuk do t’i pëlqejë që ajo nuk ishte e përfshirë në negociata, pasi tani grupi i saj politik në Parlamentin Evropian është e treta më e madhe pas zgjedhjeve evropiane të qershorit.
Meloni nuk ishte pjesë e diskutimit të së martës, si një kusht i vendosur nga liberalët dhe grupet e qendrës së majtë, të cilët ishin zotuar të mos mbështesin Von der Leyen, nëse ajo arrinte marrëveshje me liderin italian.
Megjithatë, Italia ka të ngjarë të marrë një portofol shumë të lartë në Komisionin e ardhshëm Evropian.
I njëjti zyrtar tha se “tani nëse ata bien dakord, kjo [duhet të lundrojë] lehtësisht përmes Këshillit Evropian”.
Megjithatë, kryeministri hungarez Viktor Orbán shkroi në mediet sociale pasi lajmi u publikua të martën se marrëveshja e EPP-së “bërë me të majtët dhe liberalët bie ndesh me gjithçka që bazohej BE-ja. Në vend të përfshirjes, ajo mbjell farat e ndarjes. Zyrtarët e lartë të BE-së duhet të përfaqësojnë çdo shtet anëtar, jo vetëm të majtët dhe liberalët!”