Federata e Xhudos së Kosovës ka bërë të ditur se nesër në orën 09:00, do të mbahet ceremonia e vënies së gurthemelit të Qendrës Nacionale të Xhudos në Pejë.
“Kjo ngjarje shënon një moment të rëndësishëm për sportin e xhudos dhe për zhvillimin e mëtejshëm të tij. Qendra Nacionale e Xhudos do të shërbejë si një hapësirë për përgatitjen profesionale të sportistëve tanë, zhvillimin e gjeneratave të reja dhe avancimin e mëtejshëm të sukseseve që Kosova ka arritur në arenën ndërkombëtare”, thekson Federata e Xhudos.
Të pranishëm në ceremoninë e vënies së gurthemelit të kësaj qendre do të jenë kryeministri Albin Kurti, ministri për Rini dhe Sport, Blerim Gashani dhe përfaqësues tjerë institucional dhe sportistë.
Rikujtojmë se programi “Kosova, shtet i xhudos”, i mbështetur nga Ministria e Rinisë dhe Sportit, vazhdon të përforcojë zhvillimin e xhudos në vend dhe të sigurojë mundësi për gjeneratat e reja të sportistëve, që të përsërisin sukseset e Majlinda Kelmendit, Nora Gjakovës, Distria Krasniqit e xhudisteve tjera.


























