Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj ish-shefit ekzekutiv të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Nagip Krasniqi, për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, transmeton KosovaPost.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, Krasniqi dyshohet për kryerjen e veprës penale që përfshin keqpërdorimin e pozitës zyrtare gjatë periudhës nga 15 tetor 2021 deri më 19 prill 2023.
“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamentin Special, kundër të pandehurit N.K.
Sipas aktakuzës, i pandehuri N.K. duke filluar nga data 15 tetor 2021 e në vazhdimësi deri me datë 19 prill 2023, në cilësinë e personit zyrtar, duke e shfrytëzuar detyrën zyrtare, kishte kryer veprën penale Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar e përcaktuar me nenin 414 par. 2 lidhur me nenin 77 të KPRK-së”, thuhet në njoftim.
Krasniqi ishte liruar nga posti i tij si shef i KEK-ut më 24 prill të këtij viti, pasi ishte arrestuar më 19 prill të vitit të kaluar. Pas arrestimit, në muajin shtator të vitit të kaluar, ai u lirua nga paraburgimi, por me kushtin që të mos t’i afrohej objektit të KEK-ut për një distancë prej 50 metrash.